Statistika “të frikshme”/ Mitrovic njeriu i rekordeve, askush si ai
Fulham siguroi ngjitjen në Premier League për sezonin e ardhshëm, pasi dominoi këtë sezon në Championship. Një javë përpara përfundimit të sezonit të rregullt, Fulham ka koleksionuar 90 pikë në 42 javë dhe ka shënuar 106 gola duke pësuar vetëm 39 (sulmi dhe mbrojtja më e mirë).
Afërsisht, gjysmën e golave i ka shënuar një njeri i vetëm, Aleksandar Mitrovic. 27-vjeçari ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, pasi ka shënuar i vetëm 43 gola në 42 ndeshje, një shifër dhe rendiment për t’u pasur zili.
Ish-sulmuesi i Newcastle dhe Anderlecht, ka vendosur një rekord sa i përket kampionatit anglez, Championship, pasi ai tanimë është lojtari i parë dhe i vetëm që në një sezon shënon 43 gola dhe madje ka mundësi ta përmirësojë këtë statistikë në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Sheffield Utd. Një shifër rekord sa i përket edhe ligave kryesore të kontinentit të vjetër dhe jo vetëm. Sulmuesi me dy golat e shënuar ndaj Luton theu rekordin e vendosur në sezonin 1992-1993 nga Guy Whittingham (42 gola me Portsmouth).
Fulham dhe Mitrovic rikthehen kështu në elitën e futbollit anglez pas një viti mungesë, ndërsa sezonin e ardhshëm, sulmuesi serb do të luajë për herë të pestë në Premier League.
Në përfundim të sfidës me Luton, trajneri Marco Silva u shpreh: “Mitrovic ka zhvilluar një sezon fantastik dhe kjo tregon se çfarë sulmuesi është dhe çfarë skuadre jemi ne. Natyrisht, sezonin tjetër na pret një sfidë shumë e madhe dhe ne duhet të shfrytëzojmë potencialin e tij, por asnjëherë ta gjykojmë, sepse ai jo vetëm ka shënuar, por ka qëndruar besnik ndaj klubit dhe në Championship. Elita? Do të jetë një sfidë për të gjithë ne.”
Aleksandar Mitrovic është pjesë e Fulham prej sezonit 2017-2018 dhe ka luajtur deri më tani dy herë në Premier League dhe dy herë në Championship dhe numëron 175 ndeshje dhe 96 gola me Fulham dhe ka kontratë me klubin që i skadon verën e vitit 2026 dhe në treg, kartoni i tij vlen 20 milionë euro.



