Statistikat/ Teuta i gëzohet rikthimit në Niko Dovana, sa vuajtje për durrsakët si “shtegtarë”
Pas sfidës së Kupës ndaj Laçit, ndeshja me Skënderbeun, do të jetë e para që Teuta do ta luajë në shtëpinë e saj në këtë sezon të Superiores. Stadiumi i durrsakëve, Niko Dovana i ishte nënshtruar një rikonstruksioni sa i takon tapetit të gjelbërt dhe ekipi bregdetar ishte detyruar të “emigronte” në pjesën më të madhe të kohës në Elbasan Arena, ndërsa ka luajtur si pritëse ndeshjet e saj edhe në Rrogozhinë, në stadiumin e Egnatias.
Por, të qenurit larg impiantit dhe tifozerisë së tyre ka ndikuar jo pak në ecurinë e Teutës, kampione në fuqi. Diçka e tillë konstatohet lehtësisht nëse iu “hedh një sy” statistikave të cilat durrsakët kanë grumbulluar në 13 ndeshje ku do të duhej të shkelnin fushën e Niko Dovanës.
Ata kanë grumbulluar vetëm 11 pikë nga 39 të mundshme, duke arritur vetëm dy fitore, pesë barazime dhe plot gjashtë humbje. Një bilanc negativ është edhe ai i golave të shënuar e të pësuar, me Teutën që ka gjetur rrugën e rrjetës në 11 raste ku konsiderohej si pritëse, ndërsa ka pësuar 20 gola.
Megjithatë, “makthi” i durrsakëve merr fund në takimin ndaj Skënderbeut dhe të besuarit e trajnerit Renato Arapi pritet të kenë një “armë” më shumë për fazën e katërt dhe më vendimtaren e kampionatit, teksa aktualisht “Djemtë e Detit” renditen në vendin e gjashtë të klasifikimit me 31 pikë të grumbulluara ndërsa nuk mund të jenë të relaksuar me Egnatian dhe Kastriotin respektivisht një dhe tre pike larg tyre.



