Statistikat/ Tiranë “fotokopje” e dy fazave të para, bardheblutë me “një dorë te titulli”
Tirana mbylli fazën e tretë në sfidën e fundit të kampionatit ndaj Kukësit, një ndeshje e luajtur në stadiumin e Egnatias ku të besuarit e trajnerit Orges Shehi nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola.
Megjithatë, ajo pikë e marrë ndaj verilindorëve ka bërë që kryeqytetasit të grumbullojnë 20 pikë në fazën e tretë, po aq sa edhe në dy fazat e mëparshme të Abissnet Superiore. Kryeqytetasit në fazën e tretë pësuan vetëm një disfatë e cila erdhi në stadiumin e Kamzës ndaj Kastriotit me rezultatin 2-1, ndërsa barazuan edhe në derbi 0-0 ndaj Partizanit e së fundmi me Kukësin.
Gjatë kësaj faze të tretë, 25-herë kampionët e Shqipërisë kanë shënuar 15 gola, një më shumë se në fazën e dytë ndërsa kanë pësuar pesë, dy më shumë se fazën e dytë. Sakaq, lideri i skuadrës në aspektin e realizimit të golave mbetet Taulant Seferi i cili gjatë nëntë ndeshjeve të fazës së tretë realizoi katër herë, ndërsa Redon Xhixha shkundi rrjetat kundërshtare në tre raste. Por, rrugën e golit e gjeti dy herë edhe Devid De Silva, ndërsa në të njëjtën shifër është edhe Engjëll Hoti.
Kështu, me nga 20 pikë për fazë dhe në total në kuotën e 60 pikëve, Tirana kryeson e qetë renditjen e Superiores, me14 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt të Laçit, ndërsa duket se titulli numër 26 në histori tashmë është thjesht çështje matematike për kryeqytetasit.



