Stefa: Duhej të flisnim për platformat e kandidatëve, por diskutojmë për një kryebashkiak që kërkon të kapë futbollin
Zgjedhjet për Shoqatën Rajonale të Futbollit në Tiranë, që u paraprijnë atyre të Asamblesë Zgjedhore në FSHF, kanë shkaktuar jo pak tension, me kreun e bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, që është angazhuar haptazi për të ndikuar në rezultat.
Kjo çështje ishte temë bisede edhe në emisionin “Gol pas Goli”, ku moderatori i SuperSport, Gjergj Stefa deklaroi se Veliaj ka shpallur hapur qëllimet e tij për të ndërhyrë në futboll, duke dëmtuar jo pak garën.
“Tani është bërë e zakonshme që të ketë tension e polemika sa herë që ka zgjedhje dhe kjo vjen pasi politika provon vazhdimisht, jo vetëm në futboll, por edhe në sporte të tjera, që të fusë të preferuarit e saj në nivele drejtuese. Ajo që më duket si autogol, është ai kërcënimi me hetime e prokurori, pasi gjëra të tilla janë bërë të zakonshme para proceseve zgjedhore.
Megjithatë më bën përshtypje nga doli ai lajm, pra cili ishte burimi fillestar, pasi nëse ka dalë nga zyra mediatike e bashkisë, atëherë kemi zyrtarisht kryetarin e bashkisë përballë FSHF-së. Duka ka fituar gara mjaft të vështira, siç është ajo e fundit me të ndjerin Bashkim Fino, ndaj nuk besoj që Veliaj, (nëpërmjet atij që do të mbështesë, pasi nuk do të garojë vetë), do të ketë forcën e duhur për të mposhtur kreun e FSHF-së.
Në prag të garës për kreun e FSHF-së, ne duhej të ishim duke komentuar platformat e kandidatëve, por për fat të keq jemi duke folur për zgjimin e një mëngjesi të kryetarit të bashkisë, që dëshiron të fusë në dorë edhe futbollin.
Gjuha e përdorur nga politika ndaj futbollit lë për të dëshiruar, pasi vepra dhe investime ka pasur, por mënyra si referohen, nuk është e duhura. Nëse FSHF dokumenton ndërhyrjen e politikës në procesin zgjedhor dhe ia dërgon këtë FIFA-s e UEFA-s, atëherë këto institicione reagojnë. Megjithatë jemi zyrtarisht në fushatë”, u shpreh Stefa.



