Stërvitja në “Tropikal”, kuqezinjtë mes zhgënjimit dhe detyrës për të fituar ndaj Andorrës
Kombëtarja Shqiptare ka nisur përgatitjet për takimin e fundit të kualifikuesve të Botërorit “Katar 2022” ndaj Andorrës, që do të luhet të hënën në stadiumin “Air Albania”. Trajneri Edoardo Reja së bashku me ndihmësit e tij, Ervin Bulku dhe Hamdi Salihi, kanë nisur nga puna për të lënë pas atë humbje ndaj Anglisë e për t’u përgatitur për takimin ndaj Andorrës.
Trajneri italian ka ftuar Ernest Muçin, Enis Çokajn dhe Taulant Seferin, të cilët do të plotësojnë boshllëqet e e krijuara mungesa e disa lojtarëve për shkak dëmtimi ose kartonësh.
Në seancën e zhvilluar pasditen e së shtunës nën urdhrat e stafit kuqezi ishin vetëm 11 lojtarë, pasi futbollistët të cilët ishin titullarë në Wembley iu nënshtruan një programi rikuperimi. Në seancën e parë pas disfatës me Anglinë, ndikuar dhe nga grupi i cunguar, fokusi ishte në një program specifik për shkak të mbingarkesës fizike.
Zhgënjimi i humbjes me Anglinë dukej qartësisht dhe në fytyrat e futbollistëve të Kombëtares, të cilët ishin të rezervuar dhe në komentet e tyre gjatë stërvitjes. Krahas përgatitjeve në fushën e lojës stafi teknik do të ketë detyrën për të punojë dhe psikologjikisht, për të lënë pas humbjen me Anglinë e për të marrë maksimumin në takimin që do të luhet në fillim të javës së ardhshme.
Ndaj një kundërshtari në letër më inferior, por me shumë mungesa dhe mbi të gjitha pas një humbjeje të papritur ndaj Anglisë, skuadra kuqezi ka nisur nga puna për të marrë një fitore që do siguronte një nga objektivat fillestar, për të zënë së pak vendin e tretë në grup.



