Strakosha bën liderin: Ta harrojmë Napolin, mendjen te Juventusi
Lazio e nisi kampionatin me një humbje 2-1-2 përballë Napolit në “Olimpico”, ndërsa portieri i Kombëtares Shqiptare Thomas Strakosha ishte si zakonisht titullar në mbrojtje të katërkëndëshit të portës.
Në përfundim të ndeshjes, numri 1 i bardhekaltërve u mundua të bëjë edhe rolin e liderit, duke kërkuar që skuadra të harrojë sa më shpejt këtë humbje dhe të përqendrohet te ndeshja e javës së ardhshme, përballë Juventusit të Cristiano Ronaldos.
“Dominuam për 30 minuta në pjesën e parë, por pastaj u ndjemë të lodhur. Napoli u rrit falë cilësive që ka në ekip dhe na shënoi. Goli i tyre në pjesën e dytë na preu këmbët, ndërsa ne e kërkuam një gol, por nuk erdhi. Megjithatë, nuk duhet të kërkojmë alibi, por as ta kthejmë në tragjedi, pasi është vetëm java e parë. Të shtunën na pret Juventusi. Me të gjitha ekipet mund të fitosh dhe të humbasësh”, tha Strakosha.
Portieri shqiptar është shndërruar një një pikë fikse, në formacionin e Simone Inzaghit, ndërsa edhe në ndeshjen e mbrëmshme tregoi se e meriton besimin që i është dhënë.
Strakosha ndërhyri duke bërë disa pritje të mira, ndërsa në asnjë prej golave nuk ishte fajtor, pasi lojtarët e Napolit shënuan nga fare pranë dhe kryesisht për gabime të mbrojtjes bardhekaltër.



