Serie A

Strakosha tregon objektivat: Kam folur me Berishën, ëndërrojmë trofetë

Dëmtimet muskulore që kushtëzuan fundin e sezonit të shkuar dhe nuk e lejuan të ishte pjesë e ndeshjeve të Kombëtares tashmë i përkasin së shkuarës. Thomas Strakosha është gati për sezonin e ri në Serinë A.

Gardiani kuqezi, në një prononcim për mediet nga selia e grumbullimit të skuadrës bardhekaltër në Marinfeld të Gjermanisë, është fokusuar fillimisht tek gjendja e tij fizike, duke qetësuar jo vetëm tifozët lacialë, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë, që presin ta shohin në fushë në shtator kundër Francës dhe Islandës.

24-vjeçari po rigjen hap pas hapi formën sportive dhe dy miqësoret e zhvilluara së fundmi ndaj Bournermouthit dhe Paderbornit e kanë ndihmuar të hyjë në ritmin e ndeshjeve, diçka që i ka munguar prej disa muajsh.

Ndërkohë që nuk mund të mos prekte edhe temën kryesore që përfshin një prag kampionati, objektivin e skuadrës për edicionin e ri. Strakosha theksoi se Lazio synon që të jetë konkurruese ndaj çdo kundërshtari, për të ndryshuar një tendencë  jo shumë pozitive të viteve të fundit, ku janë parë luhatje me bardhekaltrit, që mund të fitonin kundër kujtdo, por edhe të dorëzoheshin ndaj çdokujt. Megjithëse erdhi një trofe ai Kupës së Italisë, portieri evidenton faktin që skuadra e mbylli në vendin e 8-të dhe kjo do t’i shërbejë për t’u zgjuar, ku tashmë synimi është pjesëmarrja në Champions League.

Lojtarët e shtrenjtë në Serinë A: “Më vjen mirë që në Serinë A po vijnë lojtarë shumë të fortë, po bëhemi një nga kampionatet më të bukur. Në tre vitet e fundit kemi treguar se mund të fitojmë ndaj kujtdo, por edhe të humbasim ndaj kujtdo. Është çështje përqendrimi, nëse nuk e humbasim mund t’i shkojmë deri në fund çdo kompeticioni.”

Për Valon Berishën: “Është një djalë shumë pozitiv. Është ndier keq që nuk mundi ta ndihmojë skuadrën sezonin e kaluar. Është shumë i motivuar dhe dëshiron të tregojë se është i fortë. Flasim bashkë për sezonin e ri, ëndërrojmë të fitojmë trofe dhe të jemi protagonistë. Jeta është shumë e bukur, prandaj ëndërrojmë. Në nivelin personal, shpresoj të arrijmë te katër më të mirat dhe të fitojmë ndonjë trofe.”

Për rregullin e ri mbi pasimin e portierit: “Kemi luajtur gjithmonë pas dhe normat e reja do të na ndihmojnë. Po përgatitemi taktikisht, duke qenë se portieri sezonin e ardhshëm do të jetë shumë i dobishëm.”

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency