Strategjia e gabuar ‘ndëshkon’ Daniel Godellin
Nuk ka shkuar aspak mirë gara e Daniel Godellit në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Rumani.
Shtangisti nga Elbasani dështoi 3 herë për të ngritur peshën 159 kg, në stilin e shkëputjes, në peshën deri 77 kg. Vlen të përmendet se pesha që sportisti shqiptar tentoi të ngrejë, ishte absolutisht më e larta mes kandidatëve, pasi vendi i parë arriti të ngrejë 158 kg, por vetëm në provën e 3-të .
Më pas, në stilin e shtytjes Godelli vendosi të tërhiqej, duke mos realizuar asnjë nga provat dhe mbyllur Europianin pa asnjë medalje.
Ditën e djeshme, sportisti tjetër shqiptar, Briken Çalja ngriti lart flamurin shqiptar, duke marrë 3 medalje ari, në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.



