Kategoria Superiore

Sulmi nuk shënon, Laçi “abonohet” me barazimet

Laçi i epokës së re është larg fytyrës agresive të dekadave më parë. Thuajse çdo sezon kjo skuadër ndodhet mes kandidateve për një vend në Europë, ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë dhe sidomos në këtë edicion shënjestra është graduar shumë lart, por me hapa të vegjël nuk shkohet askund.

Është e vërtetë që kalendari nuk i ka përkëdhelur bardhezinjtë pasi është përballur me skuadra si Kukësi, Partizani e Skënderbeu, megjithatë 4 barazime dhe vetëm një fitore, edhe ajo e arritur në sekondat e fundit, janë shumë pak për një ekip që kërkon Europën, madje ka dhe një ëndërr në sirtar, megjithëse për momentin ka mbetur e kyçur aty.

Largimi i Uzunit e ka dobësuar ndjeshëm ekipin në një kohë që janë afruar Najdenov e Altiparmakovski për të plotësuar hapësirën e lënë bosh nga beratasi. Është pak shpejt për t’i gjykuar, pasi i pari ka luajtur vetëm 155 minuta, ndërsa akoma më pak ka zbritur në fushë 27-vjeçari nga Manastiri, që ka luajtur gjithsej 134 minuta.

Megjithatë edhe fakti që trajneri Mërgjyshi i ka zëvendësuar apo nuk i ka aktivizuar nga fillimi, dëshmon se të dy këta lojtarë nuk janë përshtatur dhe ky është një problem pasi javët kalojnë dhe pikët e lëna nuk mund të rikuperohen lehtë.

Nëse monitoron kolonën e golave të shënuar, kurbinasit nuk bëjnë figurë të keqe, pasi me 5 realizime ndajnë vendin e 3-të së bashku me Luftëtarin dhe Tiranën, por nga këto 5 gola, vetëm një e ka shënuar një lojtar sulmues, Uzuni në Korçë, ndërsa të tjerët kanë ardhur nga mesfushorë, më konkretisht Shtubina e Lushkja dhe mbrojtës, Gjoni e Fangaj.

Për të dalë nga shenja X, duhen golat e Altiparmakovskit, Najdenov, pse jo edhe të Xhixhës, në të kundërt hapat e vegjël do të shndërrohen në hapa pas dhe skuadra do të vuajë shumë lënien e pikëve.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency