Kategoria Superiore

Superioria ndizet me Skënderbeu-Partizani, në Niko Dovana luhet derbi bregdetar

Skënderbeu – Partizani vitet e fundit ka qenë më tepër se thjesht një ndeshje në kalendarin e Superiores, ka qenë gjithmonë sfida që ka përcaktuar diçka të rëndësishme jo vetëm për objektivat e dy skuadrave, por mbi të gjitha për fatet e sezonit. Dhe këtë herë Skënderbeu-Partizani nuk ndryshon, duke mbetur takimi që ka jo vetëm vëmendjen e atyre që zbresin në fushë, por dhe të rivalëve të drejtpërdrejtë. Të dyja skuadrat nuk kanë kaluar ditë të qeta, me Skënderbeun që është nën presionin e dënimit 10-vjeçar nga UEFA, ndërsa Partizani për shkak të mungesave të lojtarëve të rëndësishëm. Në dy fazat e para, korçarët kanë marrë 4 pikë ndaj të kuqve dhe për më tepër nuk kanë pësuar asnjëherë. Megjithatë, çdo ndeshje është histori më vete, sidomos kur janë përballë dy rivalë të denjë për njëri-tjetrin. Partizani e di mirë se në Korçë luan një etapë të rëndësishme për ambicien europiane dhe do të përpiqet të bëjë maksimumin për të mos dalë pa rezultat nga kjo transfertë. Pavarësisht humbjes me Kukësin, të kuqtë kanë treguar shenja të dukshme përmirësimi në lojë, duke zhvilluar madje dhe një futboll dëfryes, ndërsa Skënderbeu mbetet gjithsesi skuadra me një lojë të konsoliduar. Në Korçë gjithçka pritet të jetë e ezauruar, ashtu siç i ka hije një sfide të madhe, sepse një përballje e tillë mund të ketë për kryefjalë vetëm spektaklin, atë që duhet mbi të gjitha në ditë të vështira.

Nga një skuadër me pretendime në fillim të sezonit, Teuta tashmë luan për mbijetesën me Kategorinë e Parë që duket gjithmonë e më pranë. Java 21-të sjell një kundërshtar aspak të lehtë, pasi në Niko Dovana udhëton Flamurtari, forca e dytë e kampionatit. Djemtë e detit treguan sinjale të mira loje në transfertën e shkodrës, por rezultatet janë ato që mungojnë. Fitorja e fundit është 3 muaj më parë, më 19 nëntorin e vitit të shkuar, pikërisht në shtëpi ndaj Vllaznisë, që u pasua nga barazimi me Flamurtarin në transfertë. Megjithatë vlonjatët kanë triumfuar në fazën e parë kur mposhtën Teutën e drejtuar nga Gugash Magani me shifrat 2-1, në një transfertë nga e cila nisi ecuria e pathyeshmërisë larg Vlorës që zgjati me 8 ndeshje radhazi. Trajnerit Gentjan Begeja i rikthehet mesfushori Ardit Hila pas pezullimit ndërkohë që pritet të mungojë mbrojtësi kroat ante hrkac, pas dëmtimit të pësuar ndaj Vllaznisë. Një situatë aspak pozitive përsa i përket dëmtimeve është edhe në Vlorë, ku trajneri Shpëtim Duro duhet të bëjë llogaritë me mungesat e Tonkuara dhe Juffo, ndërkohë që në pikëpyetje është Muarem, i cili pritet ta nisë nga stoli. Shpresat e golit janë tek kapiteni Busic, autor i dy golave në fitoren e fazës së parë, teksa është ndalur përpara portës që nga sfida ndaj Partizanit më 26 janar. Pavarësisht problemeve derbi bregdetar pritet të jetë emocionues, pavarësisht se në 6 përballjet e fundit e kanë mbyllur 3 herë në barazim pa gola midis tyre.

 

Java e 21-të

 

Skënderbeu-Partizani        17:00    Supersport 3

Teuta-Flamurtari                17:00    Supersport 4

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency