Superkupa është e Bayernit falë penalltive
Superkupa e Gjermanisë për të dytin vit rradhazi është e Bayern Munich. Bavarezët i dhanë një shuplakë krizës që i kishte përfshirë me disa humbje rradhazi në ndeshjet miqësore, pikërisht atëherë kur duhej. Në Signal Iduna Park, Carlo Ancelotti fitoi një tjetër trofe me Bayernin që e nisi sezonin e ri ashtu sic mbylli atë të kaluarin. Edhe pse ishte shumë afër Dortmundi i Peter Bosz u dorëzua vetëm në fund me Bayernin që barazoi rezultatin në 2-2 pak caste përpara vërshëllimës së arbitrit duke e cuar ndeshjen drejt penalltive aty ku kampionët e Gjermanisë u treguan më të saktë duke fituar për herë të 6-të Superkupën e Gjermanisë dhe duke lënë pas pikërisht Borussian për tu bërë skuadra që ka triumfuar më shumë herë në këtë kompeticion. Në minutën e 12-të talenti i Dortmundit Christian Pulisic me këmbënguljen e tij detyroi Javi Martinez-in të bënte gafë të rëndë, duke i vjedhur topin spanjollit për të mposhtur më pas portierin Ulreich. 1-0 për Borussian me Pulisic që ngriti peshë tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit. Por nuk vonoi shumë dhe Bayerni barazoi rezultatin. Kimich i shpëtoi mbrojtjes së Dormtundit në një pozicion shumë të dyshimtë duke servirur Leëandoëskit një gol të thjeshtë që i coi shifrat në 1-1. Për të parë një tjetër gol duhej pritur minuta e 70-të, kur Dortmundi përfitoi nga një mundësi e humbur e Bayern-it dhe me një kundërsulm të shpejtë Aubameyang gjeti parabolën fituese pas pasimit të Dembele. Por atëherë kur gjithcka po shkonte drejt suksesit të Borussias pas një rrëmuje në zone dhe pas një topi të kthyer nga traversa, Pizsczek devijoi i fundit topin drejt rrjetës së tij për të barazuar sërish shifrat. Nga pika e bardhë e penalltisë Bayerni triumfoi 5-4 për meritë edhe të portierit Ulreich që ndali 11-metërshat e Rodes dhe Marc Bartra, ndërsa për bavarezët kishte gabuar vetëm Kimich.



