Serie A

Supermarketi Roma, drejtuesit duhet të gjejnë sistemim për një formacion të tërë

Roma ndryshoi pronësi në mesin e muajit gusht dhe pritshmëritë e tifozëve janë që miliarderi amerikan Dan Friedkin të “zgjidhë qesen” dhe të afrojë futbollistë me peshë në skuadër.

Megjithatë puna nuk është aspak e lehtë për dyshen drejtuese Fienga – De Sanctis, të cilët prej ditësh po merren me sistemimin dhe shitjen e futbollistëve që nuk bëjnë më pjesë në planet e verdhekuqve.

Nuk janë pak, por plot 11 futbollistë që nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit portugez Paulo Fonseca dhe që drejtuesit e Romës po punojnë t’i shesin apo t’i japin në huazim, për t’u dhënë sadopak frymëmarrje financave të klubit.

Kështu në portë është suedezi Robin Olsen, që jo vetëm nuk bën pjesë në planet e Romës, por nuk ka zgjuar interes as në klube të tjera dhe aktualisht për të mungojnë ofertat, ndaj te verdhekuqtë po mendojnë t’i prishin kontratën.

Në mbrojtje janë emra si Santon, Karsdorp, Fazio, Juan Jesus dhe Florenzi, të cilët nuk kanë më vend te Roma dhe duhet të gjejnë një tjetër destinacion për të vijuar karrierën, ndërsa shpresat e verdhekuqve janë që të përfitojnë sa të munden nga kartonët e tyre.

E njëjta situatë edhe në repartet e mesfushës e sulmit, ku Javier Pastore, Justin Kluivert, Cengiz Under, Diego Perotti dhe Patrick Schick, janë futbollistët me valixhet gati dhe pritet të lënë kryeqytetin italian gjatë kësaj vjeshte.

Këtu janë të vetmit futbollistë që kanë adhurues nëpër klube të tjera italiane e europiane dhe drejtuesit e Romës do të provojnë të arkëtojnë sa më shumë nga shitja e elementëve si Under, Schick e Kluivert.

Ndërkohë direktiva e presidentit Friedkin ka qenë e qartë, që të mos negociohet për shitjen e elementëve si Nicolo Zaniolo e Pellegrini, elementë me perspektivë, rreth të cilëve pritet të ndërtohet Roma e të ardhmes.

Kështu, para se të mendohet për përforcimet e verës, drejtuesit e Romës kanë punë për të pastruar skuadrën nga elementët që nuk bëjnë pjesë në planet e të ardhmes, për të arkëtuar sa më shumë, por mbi të gjitha për të ulur edhe faturën e rrogave.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency