Kategoria Superiore

Surpriza Luftëtari, tashmë edhe cinik

Triumfi ndaj Flamurtarit konfirmoi momentin e mirë që po kalon Luftëtari. Gjirokastritët nuk kanë zhvilluar ndeshjen më të mirë por si asnjëherë tjetër kemi parë bluzinjtë në versionin cinik. Dy gjuajtje në portë, një gol i shënuar dhe neutralizim i lojës së kundërshtarit. Kjo ka qënë panorama e transfertës vlonjate, me gjirokastritët që për herë të parë këtë edicion nën drejtimin e Hasan Likës vendosën të mos jenë spektakolarë por pragmatistë. Luftëtari ka ecurinë më të mirë në kampionat, dhe në 10 javët e fundit së bashku me Skënderbeun janë skuadrat që kanë grumbulluar më shumë pikë, plot 22. Por ndryshe nga korçarët, gjirokastritët nuk kanë humbur asnjë nga këto 10 sfida, teksa që nga humbja me Vllazninë më 26 nëntorin e vitit të shkuar janë 6 fitore dhe 4 barazime, kundrejt 7 fitoreve, 1 barazim dhe 2 humbje të kryesuesve. Pikërisht një ecuri e tillë e bën formacionin e Hasan Likës të konsiderohet si më i miri për momentin, duke llogaritur që jo gjithmonë grupi ka qënë i plotë në dispozicion të trajnerit kryeqytetas. Ajo që u pa në Vlorë ishte e paimagjinueshme, që një skuadër në përbërje me talente si Bregu, Rroca dhe Abazaj të mos krijojë raste dhe të tregohet hermetike në mbrojtje. Ky është një tjetër sinjal që Luftëtari po rritet dhe deri në përfundim të sezonit është në gjendje të shkaktojë surpriza akoma më të mëdha.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency