Tenis

Surprizon Kachanov, Djokovic “thyhet” në finalen e Parisit

Pasi eliminoi me radhë tre tenistë të dhjetëshes së parë të botës si John Isner, Alexander Zverev dhe Dominic Thiem, Karen Kachanov siguroi fitoren më të rëndësishme në karrierë, duke mposhtur në finalen e turneut të Parisit edhe tenistin serb Novak Djokovic. Nole që pas tërheqjes së spanjollit Rafael Nadal rimori numrin 1 të botës u paraqit në finalen e turneut parizien pas plot 22 fitoreve radhazi, megjithatë Djokovic me shumë gjasa vuajti lodhjen e ndeshjes cfilitëse në fazën gjysmëfinale ndaj veteranit Roger Federer, takim të cilin 31-vjecari nga Beogradi e fitoi vetëm pas tie break-ut të setit final, pas më shumë se tre orësh lojë. Përpara 14.000 spektatorëve Novak Djokovic kryesoi pa humbur kohë 3-1 dhe 30-0, sidoqoftë që nga ai moment falë goditjeve të forta si dhe shërbimit efikas tenisti rus koleksionoi 10 pikë rresht, duke vënë kështu nën presion 4 herë kampionin e Mastersit të Parisit. Karen Kachanov që luante finalen e parë Masters në karrierë ia doli mbanë për ta thyer tenistin serb në servis sërish në game-n e 11, për të mbyllur setin hapës në 58′. Në setin pasardhës 22-vjeçari moskovit arriti t’i rrëmbejë shërbimet Noles që në game-n e tretë dhe fitorja e tenistit rus mund dhe duhej të ishte akoma më e thellë, duke patur parasysh që Kachanov shpërdoroi edhe tre mundësi për break në game-n e shtatë, gjithsesi në fund tenisti me origjinë armene mbylli gjithë takimin me shifrat 7-5, 6-4 në vetëm 1h 39′ lojë.

Kështu Karen Kachanov u bë i pari tenist nga vendi i tij që siguroi një trofe Masters, pas Nikolay Davydenko-s në Shanghai në vitin 2009, sidoqoftë me suksesin e tij në vitin e largët 2006 ish-numri 3 i botës Davydenko ishte njëherësh edhe tenisti i fundit rus që kishte triumfuar në Mastersin e Parisit. Tenisti moskovit që katër muaj më parë në Ëimbledon kishte humbur bindshëm 3-0 përballjen e vetme me tenistin nga Serbia siguroi në këtë mënyrë titullin e katërt ATP në karrierë dhe të tretin gjatë vitit 2018, pas turneve në Marsejë dhe Kremlin Cup. Sezonin e kaluar Kachanov e mbylli vitin në pozicionin e 45 në renditjen botërore, ndërkaq me 11 fitore në 12 ndeshjet e fundit raketa e parë e tenisit rus u katapultua nga vendi i 18 që mbante kur nisi aventurën e tij në turneun parizien drejt e në vendin e 11 të klasifikimit të përgjithshëm ATP, duke i shtuar gjithashtu llogarisë së tij bankare edhe cekun e majmë prej plot 973.000 eurosh. Në krahun tjetër Djokovic që luajti finalen e 47 të kësaj kategorie shpërdoroi mundësinë për t’u barazuar në kuotën 33 me tenistin që ka fituar më shumë trofe Masters 1000 Rafel Nadal, por gjithsesi pavarësisht disfatës në Paris Bercy, të hënën në mesditë Nole bëhet zyrtarisht numri 1 i këtij sporti, për t’u rikthyer kështu në këtë pozicion pas ekzaktësisht dy vjetësh, duke zbritur nga froni i tenisit botëror pikërisht 32-vjeçarin spanjoll Rafael Nadal.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency