Takim me Ministren Kushi për Ligjin e Sportit, Duka optimist: Shpresoj të miratohet brenda 2022-shit
Ligji për Sportin kthehet në rend të ditës. Për të vënë në lëvizje mekanizmat e formalizimit të tij, pas një premtimi të mbajtur pezull prej disa muajsh, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ai i Vllaznizë Alban Xhaferi, si dhe Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit Edvin Libohova, kanë zhvilluar një takim me Ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.
Pas një bisede që ka zgjatur përreth një orë, numri një i futbollit shqiptar, dha një deklaratë për mediat ku filtron optimizëm se Ligji për Sportin, mund të konkretizohet brenda këtij viti.
“Patëm një takim me ministren e Arsimit dhe Sportit, kërkuar nga ne për të riaktivizuar atë iniciativë të lënë pezull thuajse dy vite më parë, në lidhje me ligjin e sponsorizimeve. Takimi ishte shumë pozitiv dhe ministrja e priti shumë mirë propozimin tonë, duke na garantuar që do ta ndjekë procesin bashkë me ne, për të pasur një ligj sporti ndoshta Brenda vitit 2022”, deklaroi Duka.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, deklaroi se nuk ka ndryshime në propozimin e komunitetit të futbollit, gjithsesi duke demonstruar fleksibilitet për sa i përket detajeve për të përmbushur një mision që siguron mbijetesën dhe progresin e sportit më popullor në vend.
“Ne kemi ardhur me të njëjtin propozim, por nuk insistojmë në mekanizma apo detaje,. E rëndësishme është të ketë një ligj sponsorizimi, që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi dhe jo vetëm futbollit. Në këto kushte është e vështirë të kemi progresin e domosdoshëm, pasi sporti nuk është vetëm një garë, një kampionat, por një edukim dhe nivel jetese për fëmijët tanë, ndaj duhet ta shohim si të tillë.
Nuk mungoi nga ana e Presidentit Duka, edhe një falënderim në drejtim të Ministres për qasjen pozitive ndaj kërkesave të futbollit shqiptar.
“Dua ta falënderoj ministren për marrëdhëniet shumë të mira me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe një lloj ndryshimi të qasjes së saj ndaj ligjit të sportit”, deklaroi Duka.
Palët gjithsesi në këtë riaktivizim të përpjekjeve për një Ligj të Sportit janë shumë më pranë se para disa muajsh dhe tanimë nuk bëhet më fjalë për bojkot.
“Tani kemi ndryshuar taktikë dhe nuk po provojmë më bojktot, por negociata, duke nisur nga takimi me ministren. Sot ishim një përfaqësi e Ligës, që supozohet se është e gjithë liga”, u shpreh kreu i FSHF-së.



