Talenti Kelmendi firmos me Skënderbeun
Shend Kelmendi është zyrtarisht lojtari më i ri i Skënderbeut. Marrin fund dilemat lidhur me të ardhmen e talentit kosovar. Sic bën të ditur vetë klubi korcar në faqen zyrtare, mesfushori me tipare sulmuese në praninë e menaxherit të përgjithshëm të Skënderbeut Gerhard Takaj ka hedhur firmën mbi kontratën që do ta lidhë me bardhekuqtë për 3 vitet e ardhshme. Shend Kelmendi konsiderohet si nga talentet më të mëdhaja që ka prodhuar futbolli kosovar në këto vitet e fundit. Ai e ka nisur karrierën te Prishtina duke luajtur me të gjithë skuadrat e klubit kryeqytetas që nga të rinjtë e deri tek ekipi i parë. 22-vjecari konsiderohet një përforcim shumë i rëndësishëm për vetë cilësitë dhe talentin që zotëron, ndërsa është dhe një investim i mirë i bërë nga Skënderbeu jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen. Kelmendi arriti të debutonte edhe në kompeticionet europiane me Prishtinën pasi u aktivizua në 45 minutat e para të takimti të vajtjes të turit të parë të Europa Leagues ndaj suedezëve të Norrkoping, sfidë të cilën Prishtina e humbi me rezultatin 5-0. Prurjet nga Kosova kanë rezultuar të suksesshme për Skënderbeun që te Kelmendi kërkon të gjejë një Liridon Latifi ose një Bernard Berisha të ri.



