Tare “fluturon” në Londër, gati t’i sjellë Sarrit mesfushorin e preferuar
Emri i Lucas Torreirës përfundon sërish në bllokun e Igli Tares. Fiorentina vendosi të mos e blejë kartonin e mesfushorit 26-vjeçar uruguaian, që është rikthyer sërish te Arsenali, por vetëm për pak kohë, pasi nuk bën pjesë në planet e Mikel Artetës.
Megjithatë Sarri e ka kërkuar futbollistin edhe verën e kaluar, teksa Tare duket se ka vendosur të kënaqë trajnerin këtë sezon merkatoje dhe ka takuar drejtuesit e Arsenalit gjatë një udhëtimi në Londër.
Oferta e drejtuesit shqiptar është ajo e një huazimi një vjeçar me të drejtë blerjeje për një shifër prej 7-8 milionë eurosh, teksa me shumë gjasa Arsenali do të pranojë, pasi e ka hequr prej kohësh nga planet mesfushorin uruguaian.



