Të dielën ndaj Partizanit, Kukësit i mungon një prej vëllezërve Taipi
Kukësi është duke kaluar një moment të vështirë në kampionat, teksa në dy ndeshjet e fundit verilindorët kanë koleksionuar vetëm një pikë duke qenë se janë mposhtur nga Laçi dhe kanë barazuar me Teutën.
Këtë javë, të besuarit e trajnerit Diego Longo do të përballen me Partizanin, një sfidë e cila është parashikuar të luhet ditën e diel në orën 16:45, në stadiumin Loro Boriçi. Në këtë sfidë, Kukësi synon të rikthehet te pikët e plota, por që në fushë do të vuajë mungesën e kontributit të Shqiprim Taipi.
24-vjeçari ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe është i detyruar të qëndrojë jashtë për një ndeshje. Kështu, trajneri Longo duhet të mendojë për zëvendësuesin e tij, teksa mesfushorin do ta ketë të gatshëm vetëm për ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë.



