Angli

“Të frikshëm për t’u parë”, Klopp kritika skuadrës: Lojtarët në panik, ndihet presioni!

Liverpool vijon formën me ulje e ngritje në këtë fillim të sezonit teksa The Reds nuk mundën të merrnin pikët e plota përballë Brighton me ndeshjen që u mbyll në barazim 3-3. Në fakt, sfida e Anfield ishte dramatike për vendasit që e gjetën veten në disavantazhin e dy golave, ndërsa reaguan duke e përmbysur në 3-2.

Gjithsesi, të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp nuk e ruajtën avantazhin dhe pësuan sërish teksa tekniku gjerman nuk mundi të rezistonte pa kritikuar publikisht lojtarët e tij. Klopp theksoi se skuadra ishte e frikshme për t’u parë në fushë, (sigurisht në aspektin negativ) ndërsa shtoi se lojtarët dukeshin në panik ashtu siç ndodhte në vitin e tij të parë në Anfield.

“Gjatë një ndeshje duhet të mbrosh dhe ne nuk e bëmë këtë në mënyrën e duhur. Thjesht po qëndronim shumë poshtë dhe skuadra ishte e ndarë në dy pjesë, ndaj ata na e morën lojën në mesfushë. Ishte diçka e frikshme për t’u parë.

Më erdhi në mendje viti i parë me Liverpool, në atë kohë lojtarët sa herë ishin në avantazh i kapte paniku dhe dukej sikur po kalonin një atak kardiak në fushë. Nuk jemi bindës. Aspekti pozitiv është që luftuam pas disavantazhit të dy golave, por kjo na kushtoi shumë energji, pa harruar që lojtarët vinin pas ndeshjeve të kombëtareve.

Kështu që nuk kishim ritëm, por në të tilla momente të vështira duhet të luftojmë. Nuk mund ta injoroj faktin që tashmë ndihet presioni, besimi nuk është ai i dikurshmi. Por, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të ndryshojmë sjellje.

Mund edhe ta fitonim ndeshjen, por Brighton nuk meritonte të dilte pa pikë. Ata janë një skuadër e mirë”, tha Klopp. Liverpool është aktualisht në vendin e nëntë të renditjes me 10 pikë, plot 11 pikë pas Arsenalit kryesues teksa në ndeshjen e radhës presin pikërisht “Topçinjtë”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency