“Të ka dërguar Juventusi”, fraza që rrezikon pezullimin e Mourinhos
Jose Mourinho ka ditur gjithnjë të dhurojë spektakël me deklaratat e tij para apo pas ndeshjeve, por “show” i luzitanit është i pakonkurrueshëm edhe kur vjen puna te ajo që ndodh në fushë. Edhe pse nuk mund të jetë protagonisti kryesor pasi ajo i takon futbollistëve, portugezi gjithnjë ia del të kthehet në qendrën e lajmit.
Kështu ka ndodhur edhe me ndeshjen e kësaj fundjave të Serisë A, ku Roma e tij nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Veronës. Nervat e tradhëtuan Mourinhon i cili kishte disa pretendime në lidhje me vendimet që mori Luca Pairetto, arbitri kryesor i ndeshjes, që ndër të tjera i tregoi edhe kartonin e kuq teknikut të kryeqytetasve.
Një nga frazat me të cilat i është drejtuar 59-vjeçari gjyqtarit të ndeshjes ishte “Të ka dërguar Juventusi”, duke lënë të nënkuptohet se drejtuesit e Zonjës së Vjetër ndikojnë te vendimet që arbitrat marrin në sfidat e rivalëve të tyre.
Por, këto fjalë duket se do t’i peshojnë shumë Mourinhos, teksa mediat përtej Adriatikut sigurojnë se luzitanin e pret një pezullim prej dy apo tre ndeshjesh. Megjithatë, për një vendim final duhet pritur Gjykata Sportive, e cila do ta marrë në shqyrtim këtë rast në ndeshjen e Romës me Veronën.



