Të mërkurën, testi i fundit i Vllaznisë para premierës me Laçin
Pas miqësoreve me Besëlidhjen, Ohrin dhe Teutën, Vllaznia do të zhvillojë edhe një test të katërt dhe të fundit ne prag te nisjes se kampionatit te ri. Këtë të mërkurë, kuqeblutë do të provojnë forcat me ekipin e Kategorisë së Dytë të Maqedonisë së Veriut, Labunishta.
Shkodranët e kanë patur disi të vështirë për të gjetur kundërshtarë, sepse kampionati ne Maqedoninë e Veriut tashmë ka filluar. Ndaj Labunishtës, stafi teknik i Vllaznisë do të mundohet të kuptojë se cili do të jetë rreshtimi i duhur, si dhe elementët që do të formojnë formacionin bazë për startin e kampionatit.
Kuptohet që trajneri Jonuz ka filluar të mendojë për sfidën e parë të kampionatit, atë ndaj Laçit. Tekniku maqedonas ka vetëm disa dyshime në lidhje me mënyrën sesi Vllaznia do të luajë në manovrën sulmuese, sepse mungesa e një sulmuesi potent ka bërë që ai të aplikoje vendosje dhe skema të ndryshme.
Niveli i skuadrës nga ndeshja ne ndeshje ka ardhur duke u rritur dhe kjo e ka entuziazmuar stafin, që nesër, ndaj Labunishtës, do të kërkojë një tjetër fitore dhe sigurisht një paraqitje të mirë në fushë.



