Të pezulluar nga UEFA dhe FIFA, Rusia provokon/ Kërkon organizimin e Europianit!
Vladimir Putin me vendimin për të nisur luftën ndaj Ukrainës, i ka shkaktuar Rusisë së tij shumë dëme ekonomike, duke qenë se vendit i janë vendosur sanksione nga pjesa më e madhe e shteteve europiane, si dhe nga Amerika.
Në këtë mes, nuk mund të shpëtonte futbolli teksa UEFA dhe FIFA pezulluan kombëtaren ruse si dhe skuadrat ruse pjesëmarrëse në kompeticionet europiane. Megjithatë, përtej faktit që Rusia nuk ka ndërmend të bëjë hapa pas në luftën me Ukrainën çka do të thotë se sanksionet do të mbeten në fuqi, së fundmi ata kanë bërë një “provokim” të hapur ndaj Europës pasi në ditët në vijim do të kërkojnë të jenë organizatorët e Europianit 2028 apo atij të vitit 2032.
Për Euro 2028, dy kandidaturat më serioze janë ato të Britanisë në bashkëpunim me Irlandën e Veriut dhe Turqisë, ndërsa për Euro 2032 një alternativë është Italia. Mbetet për t’u parë tashmë si do të reagojë UEFA dhe nëse do ta marri parasysh propozimin e Rusisë.



