Telashe për Kamzën, edhe Idrizaj kërkon largimin
Situatë në dukje e qetë, por Kamza ngjason me një vullkan gati të shpërthejë. Është në krizë dhe nuk bëhet fjalë për rezultatet, pasi ato janë thjesht pasoja e një klime që zien brenda skuadrës dhe rrezikon më shumë se kurrë të ardhmen e saj.
Java që kaloi ka qenë vërtet e vështirë në skuadrën nga rrethinat e kryeqytetit. Kriza financiare ka goditur psikologjikisht lojtarët, 3 apo 4 muaj pa u paguar, kanë shkaktuar një atmosferë të rëndë dhe mosbesimi te futbollistët, duke goditur deri madje dëshirën për të zbritur në fushë.
Hektor Idrizaj është drejt largimit dhe ua ka bërë të ditur vendimin e tij drejtuesve dhe stafit teknik. Të kota tentativat e Ernest Gjokës për të bindur për qëndrimin një futbollist që nuk i bëjnë më këmbët të luajë si pasojë e moskorrektësisë në pagesa, ndërkohë që e pret një skuadër me histori dhe njëkohësisht pretendentja kryesore për të fituar titullin kampion, Partizani.
Transferimi pritet të kryhet brenda 24 orëve të ardhshme, edhe pse te Kamza pretendojnë një pagesë për lënien e lirë të lojtarit, që nuk është çudi të sakrifikojë edhe vetë për të kryer lëvizjen e dëshiruar. Alternativa për ta zëvendësuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, maqedonasi Bojan Gjeorgjevski, ish lojtari i Teutës që pothuajse ka mbyllur akordin për t’u transferuar te Kamza, një tjetër sinjal që Idrizaj është me valixhet në duar.
Natyrisht që nuk mund të konsiderohet një përforcim për Kamzën që është detyruar t’i japë lamtumirën Frashërit, Teqjas dhe së fundmi dhe Idrizajt. Për të evituar një eksod, në mbledhjen e fundit me drejtuesit është dhënë një afat prej 10 ditësh për shlyerjen e dy pagave, por nuk mbaron këtu, pasi edhe në rast të respektimit të këtij premtimi, e ardhmja mbetet shqetësuese, për faktin e thjeshtë se Bashkia Kamëz ka lënë skuadrën e qytetit në mëshirë të fatit.
Presidenti Naim Qarri ka sakrifikuar duke mbuluar pjesën e tij të shpenzimeve sipas akordin me Bashkinë, që si pronare e 49 përqind të aksioneve të klubit, ka detyrimin për të investuar pjesën e saj. Akordi mes Presidentit Qarri dhe kryebashkiakut Xhelal Mziu, që Bashkia të niste mbështetjen e saj financiare që nga janari, nuk është respektuar nga organi i pushtetit lokal dhe panorama për të ardhmen është më e zymtë se kurrë.
Në rast të qëndrimit të Bashkisë në të njëjtat pozita, atëherë vështirë se Kamza do të mund të shpëtojë, dhe atëherë në fund të sezonit, të gjithë do të jenë të detyruar të dëgjojnë kronikën e një rrëzimi të paralajmëruar.



