“Telenovela” Sanches drejt përfundimit, PSG gati të kompletojë transferimin
Paris Saint Germain ka arritur akordin me Renato Sanches. Mediat franceze zbulojnë se kryeqytetasit kanë bindur mesfushorin portugez për t’u transferuar në “Parkun e Princave”, aty ku do të përfitojë një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon.
Ky ishte hapi i parë i negociatave, teksa tani drejtori sportiv i PSG-së, Luis Campos pritet të ulet me drejtuesit e Lille për të arritur një marrëveshje për çmimin e kartonit, para se t’i hapet udhë transferimit në Paris të mesfushorit.
Sanches është një njohje e vjetër e trajnerit Galtier, pasi të dy ishin pjesë e Lille në sezonin 2020-2021, kur edhe fituan titullin kampion, ndaj tani tekniku i ri i PSG-së dëshiron ta marrë me vete për t’i besuar “çelësat” e mesfushës.
Për mesfushorin portugez shfaqi interes edhe Milani, që arriti një marrëveshje me Lille, por vetë Sanches preferon Parisin, ndaj kuqezinjtë do të duhet të studiojnë një tjetër objektiv për mesfushën.



