Telushi: T’i godasin në pikat e dobëta, tifozët për ne janë…
Në krah të trajnerit Lerda, në konferencë për shtyp ishte edhe mesfushori Bruno Telushi. Vlonjati energjik beson se Partizani ka shanse të mira për kualifikimin.
“Partizani edhe në sezonin e shkuar ka pasur grup cilësor. Me këtë grup që kemi ne synojmë që të jemi sa më të fortë. Një dorë të mirë po na japin edhe lojtarët që kanë ardhur si përforcime, sepse edhe ata kanë filluar që të ambientohen me skuadrën. Lojtarët e ardhur kanë pak kohë, ndërsa sulmuesit nuk mund t’i vlerësojmë nga ndeshja me Qarabagun. Mendoj se në ditët në vazhdim edhe ata do të jenë një forcë e madhe e Partizanit. E rëndësishme është që kemi konkurrencë në sulm dhe kjo është shumë pozitive për skuadrën dhe trajnerin.”
Cilësia e kundërshtarit: Është një kundërshtar i fortë, as për t’u nënvlerësuar dhe as për t’u mbivlerësuar. Ne do të kërkojmë që t’i godasim ata në pikat e dobëta. Kam besim se do të jetë një ekip më sulmues në ndeshjen që do të luajmë këtu.
Kualifikimi: Shanset janë të mëdha, kryesore është që ne të futemi dhe të japim më të mirën tonë. Të luajmë siç edhe luajtëm me Qarabagun, të përmirësohemi në sulm dhe kam besim se do të bëjmë gjëra shumë të mira.
Pozicioni në fushë: Kam luajtur me Hilën, edhe me Koten që është djalë i ri. Tashmë po përshtatem edhe me Melon apo Malën. Çdo gjë e vendos trajneri. E rëndësishme që kushdo që të futet të bëjë më të mirën për Partizanin.
Mesazhi për Tifozët: Mesazhi është i qartë për tifozët tanë. Ata janë një tifozëri e mrekullueshme. Janë lojtari ynë i 12-të dhe kjo na ndikoi edhe në Baku. Po të ishin ata do të jepnim edhe më shumë, sepse dihet që ata janë një “frymë” dhe forcë e madhe për ne.



