Premier League

Ten Hag: Nuk u zbatuan detyrat, e papranueshme! City të shkatërron nëse nuk lufton

Manchester United regjistroi humbjen e tretë sezonale në kampionat, çka ishte më e dhimbshmja deri tani. Ekipi i Erik ten Hag u shkatërrua 6-3 në derbin ndaj Manchester City, takim ku “Djajtë e Kuq” bënë gabime pafund dhe nuk ia dolën të përballonin furinë e kampionëve në fuqi të Anglisë.

Trajneri holandez i United nuk e fshehu zhgënjimin e tij në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për Sky Sports, ku ndër të tjera tha: “Na mungoi besimi, jam i befasuar që nuk e kishim fare sot. Nuk pashë bindje nga ana e lojtarëve, nuk patëm as guxim në qarkullimin e topit.

Është gjithmonë e vështirë të zbulosh shkaqet e humbjes pas një performance të tillë. Lojtarët e mi e dinë se mund të bëjnë më mirë. Nëse nuk lufton në fushë, atëherë gjërat vështirësohen shumë ndaj një ekipi si Manchester City.

Kjo është një humbje e ndryshme nga ajo me Brentfordin (4-0), pasi në atë ndeshje nuk vrapuam fare. Sot nuk ia dolëm të ndiqnim principet tona, e përsëris: na mungoi besimi te vetja. Rikuperonim topin, por e dorëzonim shumë shpejt te kundërshtarët.

Gabuam shumë edhe në fazën e tranzicionit. Lojtarët nuk i zbatuan detyrat, ishim të padisiplinuar. Nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, është e papranueshme”, deklaroi Ten Hag, i cili duhet ta harrojë sa më shpejt derbin e parë në stolin e United.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency