Ten Hag rinovon me Ajaxin deri në vitin 2023
Trajneri i Ajaxit të Amsterdamit, Erik ten Hag, ka nënshkruar kontratën e re me gjigantët holandezë e vlefshme deri në qershor 2023. 51-vjeçari ishte kandidat për të marrë detyrën e trajnerit të Tottenhamit si pasardhës i Jose Mourinho.
Që nga emërimi i tij në krye të Ajaxit në dhjetor 2017, Ten Hag e ka udhëhequr klubin drejt titullit Eredivisie, fitoi dy herë Kupën e Holandës si dhe arriti deri në gjysmëfinale të Championsit në vitin 2019.
“Ne mund të hedhim hapin tjetër me këtë ekip. Unë jam i lumtur këtu. Të arrish diku është një gjë, të qëndrosh diku është gjë tjetër. Ajaxi është përsëri në hartë ndërkombëtarisht. Ne e meritojmë këtë vlerësim, por duam më shumë,” – deklaroi Ten Hag pas rinovimit.
Ajaxit të Amsterdam i nevojitet vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit të Eredivisie për t’u shpallur kampion në Holandë.



