Tension mes trajnerëve në “Gewiss Stadium”, arbitri “skuq” Gasperinin
Nisi gjithçka me një bashkëbisedim miqësor mes Gian Piero Gasperinit dhe Sinisa Mihajlovic, në prag të ndeshjes mes Atalantës dhe Bolognës në “Gewiss Stadium”, por mjaftuan vetëm 36 minuta për të sjellë një përplasje mjaft të ashpër.
Pas një faulli të akorduar në favor të skuadrës së Bolognës, nuk u kuptua mirë çfarë thanë Gasperini dhe pjesëtarë të stafit të tij, por reagimi i Mihajlovic ishte mjaft i ashpër dhe u dëgjua qartë në transmetimin e drejtpërdrejtë, i ndihmuar edhe nga mungesa e publikut.
“Fol me të tutë dhe mos na çaj t….n”, u dëgjua të thërriste disa herë trajneri serb, ndërsa arbitri La Penna u afrua pranë pankinave për t’i ndëshkuar të dy teknikët me karton të verdhë, por pas kërkesës së llogarisë nga ana e Gasperinit, i tregoi të kuqin këtij të fundit.
Sigurisht ky moment shtoi edhe më shumë tensionin mes palëve, me trajnerin e skuadrës bergamaske që nuk i kurseu disa fjalë në drejtim të Mihajlovic, para se të linte pankinën për të vijuar të drejtojë skuadrën nga tribuna e boshatisur.
Vlen të theksohet se me këtë ndëshkim, Gasperini nuk do të mund të qëndrojë në pankinë në fundjavë, kur Atalanta e tij të udhëtojë drejt Milanos për t’u përballur me kuqezinjtë e Stefano Piolit.



