Terreni i rënduar, Kukësi mendon të braktisë ‘Zeqir Ymerin’
Ecuria jo e mirë në shtëpi, por edhe dëmtimet e shumta, kanë bërë që drejtuesit e Kukësit të mendojnë shtegtimin drejt një tjetër impianti, për javët e mbetura të këtij edicioni. Ende nuk ka një vendim përfundimtar, por sfida ndaj Skënderbeut mund të jetë e fundit për kampionët, në ‘Zeqir Ymeri’ këtë edicion, me stadiumin që është kritikuar shpeshherë për gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet.
Verilindorët kanë pësuar këtë edicion 6 humbje, 5 prej të cilave pikërisht në shtëpi, përpara publikut të tyre. Nëse edicionet e kaluara fusha ishte një nga armët më të forta tek Kukësi, nuk rezulton i tillë këtë sezon, ndërkohë që edhe dëmtimet nuk po i ndahen skuadrës së austriakut Peter Pakult. Për këtë arsye drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Safet Gjici, po mendojnë të transferohen drejt ‘Elbasan Arenës’ për ndeshjet shtëpiake.
Për momentin kjo mbetet një hipotezë teksa vendimi do të merret gjatë javës, në përfundimin e sfidës ndaj Skënderbeut, ndërsa më pas, me shumë gjasa ‘Zeqir Ymeri’ do t’i nënshtrohet punimeve për tjetërsimin e tij. Prej kohësh klubi ka bërë gati projektin e stadiumit të ri, që do të jetë një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.
Por deri atëherë, Kukësi ka nevojë për rezultate në mënyrë që të mos humbasë të paktën pjesëmarrjen në Europë, dhe për këtë arsye nevojitet një stadium që të plotësojë kushtet më minimale.



