Teuta bën goditjen e bujshme, “rrëmben” kapitenin e Flamurtarit
Në prag në ndeshjes përballë Flamurtarit, pasditen e të dielës, Teuta ka fituar një tjetër betejë me vlonjatët, duke u rrëmbyer këtyre të fundit kapitenin e skuadrës.
Bëhet fjalë për sulmuesin Tomislav Bushiç, i cili nga mbrëmja e sotme mund të konsiderohet një futbollist i Teutës, pasi ka arritur marrëveshjen me klubin durrsak.
Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi i Teutës në rrjetet sociale, ndërsa trajneri Blendi Shkëmbi “fërkon duart”, pasi do të ketë në dispozicion një emër me mjaft peshë në repartin e sulmit.
Bushiç është një sulmues me mjaft eksperiencë në kampionatin shqiptar, pasi ka luajtur më herët me Vllazninë e Tiranën, ndërsa që prej vitit 2016 është pjesë e skuadrës vlonjate.
Me Flamurtarin sulmuesi kroat ka luajtur 72 takime dhe ka shënuar 22 gola, por gjendja e rënduar financiare në klub, ka nxitur atë të pranojë transferimin drejt Teutës.



