Teuta dhe Magani, drejt Korçës për “buzëqeshjen” e fundvitit
Një dhuratë për fundvitin, por mbi të gjitha dëshira për të festuar të qetë. Skënderbeu dhe Teuta vendosen përballë njëra-tjetrës në ndeshjen që mbyll 2017-ën, me skuadrat që paraqiten në këtë duel me humore të kundërta.
Korçarët kërkojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive dhe të ruajnë distancën e sigurisë prej 9 pikësh nga ndjekësit më të afërt, Kukësi dhe Flamurtari. Në anën tjetër, Teuta kërkon të kthehet te fitorja pas katër javësh mungesë, ecuri që e ka zbritur sërish skuadrën në zonën e ftohtë të renditjes.
Suksesi në Korçë mungon prej pesë vitesh dhe në letër ky mund të cilësohet pa hezitim sezoni më i vështirë kur durrsakët mund të pretendojnë të përsërisin suksesin e Marsit 2011. Për vetë paraqitjet e deritanishme të Teutës dhe forcën e shfaqur nga Skënderbeu i këtij edicioni, barazimi do të ishte mëse i kënaqshëm për skuadrën e Maganit.
Të paktën një pikë për renditjen, por mbi të gjitha për moralin e skuadrës, edhe sepse kalendari nuk ka qenë më i lehtë. Bregdetarët paraqiten në këtë sfidë pas tri humbjeve radhazi në kampionat me Kamzën, Partizanin dhe Kukësin, ndërsa problemi kryesor lidhet me mbrojtjen, që nuk ka arritur të ruajë avantazhin fillestar në rezultat.
Misioni nuk është aspak i lehtë. Përballë është skuadra më e fortë e këtij kampionati. Të besuarit e Ilir Dajës kanë sulmin më të mirë, ndërsa në shtëpi janë thuajse perfektë. Vetëm një barazim në 7 ndeshje të luajtura dhe të vetëdijshëm se një fitore këtë të premte do t’i mbante në pozita ideale për gjysmën e dytë të sezonit.



