Teuta, gati nënshkrimi me Vasilev
Transferimi i Latif Amadu tek bjellorusët e Shakhtyor Soligorsk e ka kthyer në detyrim për Teutën gjetjen e një tjetër qëndërsulmuesi i cili duhet të jetë i aftë të bëjë diferencën menjëherë me “djemtë e detit”. Drejtuesit kanë lëvizur dhe duket se është arritur akordi me Radoslav Vasilev. Sulmuesi bullgar pasi është kontaktuar nga drejtuesit e klubit durrsak dhe është diskutuar për çështjet financiare ka rënë parimisht dakord për t’iu bashkuar Teutës. Firma ende nuk ka ardhur por duket se zyrtarizmi i tij nuk do të kërkojë shumë kohë.
28-vjeçari është rritur sportivisht tek Slavia Sofia përpara se të kalonte në Angli tek të rinjtë e Reading pa luajtur asnjëherë me skuadrën e parë, më pas u rikthye tek Slavia Sofia ku qëndroi për 6 sezone duke u shkëputur vetëm për një periudhë të shkurtër ku u aktivizua në formë huazimi tek Lyubimets. 6 muaj ka qënë pjesë e qipriotëve të Alki Oroklini, ndërsa prej 1 sezoni i gjysmë kontribuon për Cherno Moren ku ka shënuar gjithsej 9 gola. Akoma më interesant është fakti se Vasilev është aktivizuar në disa takime me përfaqësuesen e Bullgarisë në Uefa Nations League duke realizuar edhe një gol kundër Norvegjisë. CV e sulmuesit prodhon optimizëm, megjithatë fusha është treguesi që vërteton apo përgënjështron Curriculumin.



