Teuta merr dhe Aleksin e Luftëtarit, ikën mbrojtësi shkodran
Teuta vijon me intensitet përgatitjet verore e njëkohësisht drejtuesit e klubit po përpiqen të afrojnë lojtarët e duhur për të përballuar me sukses ndeshjet në Europa League dhe rritur pretendimet për sezonin e ardhshëm.
Gjatë ditës së sotme ka firmosur me klubin bregdetar Albano Aleksi, që sezonet e fundit ka spikatur te Luftëtari. Mesfushori 26-vjeçar do të jetë i lidhur me “Djemtë e Detit” për dy sezonet e ardhshme.
E shtuna shënonte ditën e gjashtë të përgatitjeve teksa gjendja e grupit shfaqet e kënaqshme dhe lojtarët po i përgjigjen pozitivisht programit të specifikuar përgatitor.
Për t’i parë lojtarët në veprim e për të krijuar një ide mbi gjendjen e tyre, klubi ka vendosur që këtë të diel të përballet në një test miqësor me Laçin, në orën 17:30, në stadiumin “Niko Dovana”.
Ndërkohë gjatë pasdites, mbrojtësi shkodran, Esin Hakaj, ka njoftuar nëpërmjet një njoftimi në Facebook, largimin nga Teuyta.
“Përshëndetje! Sot, zyrtarisht, nuk jam më lojtari i Teutës. Dua të falënderoj drejtuesit dhe në veçanti presidentin Edmond Hasanbelliu, tifozët dhe shokët e ekipit për mbështetjen. I uroj suksese ekipit të Teutës. Faleminderit!”




