Kategoria Superiore

Teuta në merkato, durrsakët kërkojnë të rikthejnë në Superiore sulmuesin dhe mbrojtësin

Tashmë që Superiorja ka marrë pushimet për t’u rikthyer në fushë më datë 15 janar, drejtuesit e klubeve kanë nisur punën për të bërë lëvizjet në merkaton e janarit. Një nga ato skuadra që po tregohet aktive në këtë aspekt është Teuta, e cila nuk i ka respektuar pritshmëritë e fillim-sezonit, teksa aktualisht kampionët në fuqi të kampionatit mbajnë vendin e gjashtë të klasifikimit me 15 pikë diferencë nga kryesuesit e Tiranës.

Në këtë formë, te bregdetarët ka pasur ndryshime në organikë duke qenë se është konfirmuar largimi i Sherif Kallakut dhe mbrojtësit Adolf Selmani, ndërsa po punohet për merkaton në hyrje. Së fundmi, Teuta ka nisur kontaktet për një rikthim të mundshëm të Rubin Hebajt (pjesë e durrsakëve në sezonin 2021-2022).

Sulmuesi ishte pjesë e Shkëndijes së Tetovës, teksa vetëm ditën e djeshme palët kanë ndarë rrugët dhe në këtë formë 23-vjeçari mund ta konsiderojë një rikthim në Superiore. Nga ana tjetër, Teutës i duhen përforcime në repartin e mbrojtjes dhe për këtë pozicion po lakohet emri i Jurgen Goxhajt.

Eksperienca e tij e fundit në Superiore ka qenë me Bylisin dhe prej dy vitesh ka qenë në Azerbaxhan aty ku fillimisht ka luajtur me Gabalën ndërsa së fundmi ishte pjesë e Sabail. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse bisedimet me sulmuesin dhe mbrojtësin do të konkretizohen, teksa bëhet fjalë për dy lojtarë që kampionatin shqiptar e njohin mirë dhe që mund ta ndihmonin shumë Teutën për pjesën e mbetur të sezonit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency