Teuta-Skënderbeu dhe Kukësi-Luftëtari, vijon ndjekja në distancë ndaj Partizanit!
Derbi Tirana-Partizani ishte vetëm antipasta e një jave që premton shkëndija. Raundi i 24-t i Kategorisë Superiore vijon këtë të shtunë me dy sfida intriguese dhe të vështiira për tu parashikuar. Në Durrës në orën 17:00 Teuta pret Skënderbeu ndërsa më herët në orën 14:00 në Elbasan Arena, luhet sfida Kukësi-Luftëtari.
Të shohësh skuadrën kampione teksa lëngon është diçka që nuk i bën mirë kampionatit, për më tepër që Skënderbeu është skuadra e cila ka shkruar historinë e futbollit shqiptar në dekadën e fundit. Që nuk do të ishte më i njëjti ekip si ai i edicioneve të shkuara kjo u kuptua që në fillim, por askush nuk priste një ecuri të tillë në muajt e fundit.Korçarët e nisën mirë edicionin, madje duke befasuar me lojën dhe rezultatet e regjistruara. Por që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar kurba ka qenë gjithmonë në rënie për formacionin e Orges Shehit, që është ndikuar shumë edhe nga mungesat në formacion. 1 fitore dhe 8 humbje në 9 javët e fundit kanë bërë që të bien kambanat e alarmit.Nga Teuta te Teuta, korçarët kanë marrë vetëm 3 pikë dhe kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, për të humbur terren me kreun e klasifikimit.
Më 1 dhjetor të vitit të kaluar Teuta i shkaktoi humbjen e parë në këtë ecuri negative në këto 9 javë, duke triumfuar në Korçë me rezultatin minimal 0-1 falë golit të Camara, edhe pse luajti me një lojtar më pak për të gjithë pjesën e dytë.Sot situata ka ndryshuar, pasi Teuta vjen me pretendime të mëdha, ndërkohë që Skënderbeu si sfidues për të synuar kthesën e kësaj ecurie negative. Durrsaku i stolit të korçarëve, Orges Shehi, duhet ende të bëjë llogaritë me mungesat e shumta, por mbi të gjitha me mënyrën se si duhet të menaxhojë dhe numrin e lartë të të huajve në skuadër.Ndaj Teutës nuk është e lehtë, por në Korçë të gjithë presin kthesën e skuadrës në rezultate, pasi një ecuri e tillë rrezikon që Skënderbeu të rrëshqasë në zonën e rënies.
Fitorja ndaj Kamzës riktheu qetësinë e munguar te Kukësi. Por, pavarësisht suksesit që erdhi pas dy humbjeve radhazi, te nënkampionët buzëqeshja është ende e ngrirë, jo vetëm nga diferenca me Partizanin kryesues, por edhe nga fakti që vijon mallkimi i dëmtimeve.Braziliani William Cordeiro është ende në bokse pas dëmtimit të pësuar në sfidën me Teutën. Një dëmtim pothuajse të njëjtë ka pësuar edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj, pasi vlonjati ka një frakturë në dorë dhe prania e tij në fushë ndaj ish-skuadrës është në pikëpyetje. Duket se ka lënë pas problemet fizike mesfushori Eduart Rroca, që vjen pas atij goli të shënuar ndaj Kamzës, në një sfidë të cilën e nisi nga stoli.
Ashtu si Shkurtaj, edhe Fantazisti vjen me statusin e ish-it në këtë duel. Në morinë e lajmeve të këqija sigurisht që ka edhe të mira për trajnerin Armando Cungu, që sheh të kompletohet reparti i prapavijës. Kapiteni Ylli Shameti dhe Ardian Cuculi kanë lënë pas pezullimin dhe janë nën urdhrat e trajnerit, që sheh te kjo dyshe jo vetëm sigurinë në prapavijë, por edhe liderët e skuadrës.
Një duel interesant është edhe për Reginaldon, që duhet të vazhdojë garën brenda skuadrës me Shkurtajn, gjithashtu edhe për të sulmuar “Këpucën e Artë” të kampionatit. Te Luftëtari mungesa e madhe është ajo e Albano Aleksit që është skualifikuar me 4 ndeshje. Bluzinjtë me Ahmatajn në stol nuk njohin humbje dhe sot do të tentojnë t’i vendosin një stërkëmbësh Kukësit në garën për titull.
Dueli, që luhet në “Elbasan Arena”, është një detyrë shtëpie për Kukësin, që ka fituar me rezultat minimal edhe dy takimet e fazave të para. Nëse verilindorët kërkojnë të sulmojnë kreun, fitorja në 90-minutëshin e javës së 24-t është detyrim.



