“Thatësirë” golash tek Anglia: “Varemi nga Kane-Sterling? Si Franca, pa Mbappe ishte e vdekur”
Vetëm një gol i shënuar në tri ndeshjet e Nations League dhe vendi i fundit në Grupin 3 të Ligës A. Anglia nuk po kalon një moment të mirë, sidomos në repartin e sulmit.
Trajneri Gareth Southgate e pranon se skuadra e tij varet nga forma dhe finalizimi i dyshes Kane-Sterling, por thekson se e njëjta gjë ndodh edhe në kombëtaret e tjera, duke marrë në shembull Francën.
“Në këto momente kemi probleme me gjetjen e golit. Nuk ia dolëm të shënonim ndaj Italisë, aspekt që do kishte bërë diferencën. Sigurisht që në këto momente varemi shumë nga Harry Kane dhe Raheem Sterling, por të gjithë skuadrat varen nga lojtarët e tyre me të mirë.

Franca ishte e vdekur ndaj Austrisë, por Mbappe shënoi falë një veprimi individual dhe shpëtoi kombëtaren e tij. Pra, është e vetëkuptueshme që cilësia e lojtarëve më të mirë ka efekt në ndeshje.
Ne jemi me fat që kemi një kapiten dhe bomber me shifra fenomenale, por them se në të njëjtën kohë kemi shumë lojtarë të shkëlqyer që shënojnë në klubet e tyre.
Duhet të jemi të aftë për t’i vënë ata në një pozicion që të bëjnë të njëjtën gjë në ndeshjet me kombëtaren, ndaj duhet të punojmë për këtë”, deklaroi trajneri i “Tre Luanëve”.



