Tifozët e Juventus racizëm ndaj atyre të Parisit, përshëndetje naziste dhe imitim i majmunit
Juventus pësoi një disfatë 2-1 në transfertë ndaj PSG në premierën e këtij sezoni në Champions League. Torinezët nuk e përballuan vrullin e Kylian Mbappe që realizoi një dygolësh ndërsa frustrimin për disfatën në Paris e kanë shfaqur dhe tifozët e “Zonjës së Vjetër” të cilët në Parc Des Princes janë filmuar duke bërë gjeste raciste ndaj tifozëve parisienë.
Në sektorin e tyre, ultrasit bardhezi janë parë duke bërë përshëndetje naziste ndërsa nuk munguan edhe gjestet ku imitohej majmuni si një ofendim për rivalët. Pritet që UEFA të marrë masa ndaj italianëve ndërsa Juventus mund të përballet me një gjobë duke njohur sensibilitetin në lidhje me të tilla ngjarje.
Në fakt, episode të tilla vijojnë të jenë prezente në botën e futbollit edhe pse gjithnjë e më shumë përçohen mesazhe kundër racizmit. Kujtojmë se edhe tifozët e Atletico Madrid në sezonin e kaluar, ishin autorë të gjesteve të shëmtuara teksa skuadra e tyre luante ndaj Manchester City.



