Tirana-Bylis, sfida e festës së madhe për bardheblutë!
Gazetar: Glendi Tafaj
Në çastin kur FSHF zyrtarizoi kalendarin e sezonit 2019-2020 të gjithë tifozët përveç derbeve kontrolluan menjëherë ndeshjen e fundit, në kalendar shkruhej Tirana-Bylis dhe nga aty nisi ëndrra për ta festuar titullin e 25-të me rastin e 100 vjetorit të krijimit pikërisht në sfidën përmbyllëse kundër ballshiotëve. Nga ai moment për fat të keq kanë ndodhur një sërë ngjarjesh, teksa pandemia me të cilën po bashkëjetojmë ka larguar me detyrim tifozët nga stadiumi, ëndrra e titullit kampion në vitin e 100-vjetorit u realizua, festa nuk do të jetë ashtu si e kishin menduar e dëshiruar tifozë e drejtues në fillim të sezonit, por gjithsesi është një ditë e veçantë për bardheblutë. Ndeshja në vetvete nuk ka ndonjë vlerë të madhe, sepse Bylis e ka mbyllur sezonin duke qënë se e siguroi qëndrimin në Superiore dhe nuk ka më se çfarë i kërkon këtij kampionati, ndërsa për Tiranën ky takim mund të shërbejë për të ndërtuar planimetrinë e duhur për finalen e Kupës që do të luhet të dielën përballë Teutës. Egbo nuk pritet të rrezikojë titullarët , për të evituar çdo dëmtim që do të ndikonte sfidën e së dielës, lurse në krahun tjetër ballshiotët do të vijojnë për të shijuar “Air Albania”-n dhe për të ndjekur nga afër festën e kampionëve të rinj të Shqipëisë.



