Futboll

Tirana e madhe luan për mbijetesë, 17-vjeçarët kampionë të Shqipërisë

Janë 17-vjeçarët krenaria e klubit të futbollit të Tiranës. Paratërinjtë u shpallën kampionë të Shqipërisë, duke triumfuar në finale përballë Shënkollit. Një titull më se i merituar për një skuadër e cila e dominoi sezonin e rregullt, duke realizuar një rekord pikësh, dhe forcën e tregoi edhe në finale.

Një gol i Andri Stafës e dërgoi në qiell Tiranën. Titulli i 2-të kampion në 3 vitet e fundit për këtë grupmoshë, çka dëshmon funksionimin e akademisë së klubit, përpos problemeve të shumta që po has skuadra e parë.

Për t’u rikthyer te ndeshja finale, e cila u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë edhe për meritë të tifozëve të ardhur nga Lezha e Shënkolli, ndërsa nuk mungonin në tribunën kryesore presidenti i bardhebluve, Halili, trajneri Mema dhe trajneri i përfaqësueses së 21-vjeçarëve Alban Bushi.

Pjesa e parë ishte e luftuar, por pa shanse të vërteta. Në segmentin e dytë Tirana e shtoi presionin dhe kishte një marsh më shumë, derisa në minutën e 60-të erdhi goli i triumfit. Një goditje mjaft e bukur e Stafës me të majtën u përplas në traversë dhe kaloi përtej vijës fatale. Asistenti Gjoni akordoi golin dhe festa ishte e gjitha për bardheblutë. Protestat nuk munguan nga ana e Shënkollit, megjithatë asgjë nuk mund ta privonte Tiranën nga epërsia.

Në vijim pati edh çaste tensioni, me lojtarët e të dyja skuadrave që u konfrontuan fizikisht. Gjithsesi, gjithçka u shua dhe emocionet nuk u ndalën deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Dyrmishi. Triumf i skuadrës së Fation Muhametit ndezi entuziazmin edhe tek tifozët e pranishëm në “Selman Stërmasi”, të cilët kanë gjetur “Tiranën e madhe” vetëm tek paratërinjtë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency