“Tirana e meriton kryesimin”, Vanoli: Humbje që dhemb, më vjen keq për lojtarët
Dinamo zhvilloi një derbi të mirë, pati mundësitë e veta për të shënuar, por finalizimi mungoi dhe doli pa pikë nga takimi me Tiranën, aq shumë të rëndësishme për objektivin mbijetesë. Trajneri italian i Dinamos, Rodolfo Vanoli debutoi me humbjen 1-0 ndaj bardhebluve kryesues, sfidë për të cilën foli në “Gol pas Goli” në Supersport.
“Si fillim komplimente Tiranës, e ka treguar se e meriton të jetë në krye. Të dhemb kur humb pas një paraqitje të tillë. Lojtarët treguan një nivel shumë të lartë, në aspektin tekniko-taktik dhe sa i përket edhe shpirtit të garës.
Nëse vazhdojmë të luajmë si sot, vështirë të humbim. Sot luajtëm me këtë sistem loje, sepse menduam se ishte më i përshtatshmi për të vendosur kundërshtarin në vështirësi.
Të gjithë e panë paraqitjen shumë të mirë të lojtarëve të mi, më vjen keq për ta. Krijuam më shumë raste, e goditëm më shumë portën kundërshtare se Tirana. Kjo do të thotë se kemi bërë një punë të mirë, ndeshja tjetër do të jetë ndryshe.
Për mua është ndeshja e parë sot, nuk shoh se çfarë ka ndodhur më para. Jam i bindur se lojtarët do të përmirësohen në vazhdim”, deklaroi trajneri italian i Dinamos.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



