Tirana e re me përvojë, por pa “freski”
Afrimet e verës te Tirana kanë ngrohur disi tifozët bardheblu për një sezon ndryshe nga të tjerët. Drejtuesit e klubit, së bashku me trajnerin Ardi Mema, janë dakordësuar për lëvizjet si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke krijuar një grup me eksperiencë për të rikthyer bardheblutë në kompeticionet europiane.
Megjithatë, ajo që vihet re është se Tirana e sezonit të ri është një skuadër e madhe në moshë, me shumë futbollistë që kanë prekur pragun e të 30-ave. Idi Batha dhe Ismael Dunga janë dy prej përforcimeve që ulin disi mesataren e madhe, pasi Elton Cale, Austin Torrasa dhe Tefik Osmani janë futbollistë mbi të 30-at.
Nëse do të bëjmë llogaritë edhe me prezencën e kapitenit Erando Karabeci, mbrojtësit Gentian Muça, portierëve Ilion Lika dhe Edvan Bakaj, atëhere mosha mesatare do të jetë mbi 30, me një skuadër të mbushur me eksperiencë, por të madhe në moshë.
Megjithatë, trajneri Mema ka në ekip edhe elementë shumë të rinj dhe të perspektivës, të gatshëm të bëjnë hapin cilësor, një lëvizje që sigurisht duhet ta bëjnë duke patur në krahë lojtarë të cilët kanë fituar shumë.
Në një kampionat ku mbizotëron përgatitja fizike, duhet parë se çfarë efekti do të japë një gërshetim i tillë, edhe pse futbollistët e afruar gjatë kësaj periudhe kanë qenë tepër vendimtarë në skuadrat e tyre, pavarësisht moshës apo pozicionit ku kanë luajtur.
Drejtuesit e 24 herë kampionëve të vendit shpresojnë shumë që eksperienca e tyre të sjellë epokën e ndryshimeve, për të rikthyer Tiranën aty ku i takon.



