Featured

Tirana, gati të hapë shampanjën e titullit, Teuta duhet t’i lërë stafetën

Në “Selman Stërmasi”, për të festuar më në fund titullin, sigurisht nëse Teuta e lejon. Tiranës, për të marrë bekimin e matematikës për titullin e 26-të të historisë, i mjafton të bëjë të njëjtin rezultat me Laçin përballë Egnatias, por fitorja është ajo që duhet për të mos i patur veshët nga Rrogozhina. Një sukses që mungon prej dy takimesh, pasi është e para herë që skuadra e Orges Shehit pëson dy humbje radhazi.

Pas disfatave me Kastriotin dhe Laçin, tekniku akuzon shpërqendrimin e krijuar nga distanca me ndjekësit apo edhe sirenat e merkatos, por këtë herë në shtëpi duket se është radha e duhur, edhe për të mos e shtyrë festën në derbin me Partizanin, ku shumica e tifozëve do të jenë rivalë me të kuqtë skuadër pritëse. Ndaj Teutës, ndërkohë, do të ishte një dorëzim perfekt stafete, nga kampionët e vjetër tek ata të rinj.

Duhet përqendrim dhe shpirti që kanë treguar gjatë këtij kampionati, mungon Da Silva dhe Xhixha vazhdon të ketë probleme, por opsionet nuk mungojnë. Teuta ndërkohë vjen në kryeqytet pas ndeshjes më të mirë të këtij sezoni, fitores 4-1 ndaj Kukësit, një sfidë ku spikati me tregolëshin e parë të karrierës Rubin Hebaj, por përveç golave dhe një finalizimi perfekt të Dacit, Teuta mbi të gjitha shfaqi frymëzim në fazën sulmuese, me krijimtari dhe ide të qarta në ndërtimin e aksioneve. Një fitore që veç entuziazmit ka krijuar dhe qetësinë e nevojshme me një shkëputje prej 5 pikësh nga Egnatia e vendit të tetë në klasifikim.

Për Teutën gjithsesi ky mund të ishte objektivi minimal i një sezoni të nisur si kampionë, por që nuk ka shkuar si duhet, dhe një nga kënaqësitë e mbetura për t’u dhuruar tifozëve durrsakë, mund të jetë pikërisht një tjetër paraqitje e bukur dhe një fitore përballë kampionëve të ardhshëm.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency