Tirana i jep dy “shuplaka” Flamurtarit, çerekfinalet më pranë!
Tirana mposht me rezultatin e pastër 2-0 Flamurtarin dhe hedh një hap të sigurtë drejt fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Sfida që u ndërpre një ditë më parë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që përmbytën Selman Stërmasin rifilloi këtë të enjte në orën 13:00. Bardheblutë nuk bënë më gabimet e një ditë më parë ku shpërdoruan dhe një 11-metërsh duke e nisur me marshin e 5-të sfidën. Tirana gjeti shumë shpejtë epërsinë, teksa Michael Ngoo në minutën e 37-të, 12 minuta pasi kishte rifilluar sfida që ishte ndërprerë në minutën e 25-të, përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe më një goditje tokazi nuk i dha asnjë shans portierit Koliçi që deri në ato momente ishte shpëtimtari i Flamurtarit. Bardheblutë kishin më shumë dëshirë se kuqezinjtë dhe 3 minuta më vonë në të 40-ën gjetën edhe golin e dytë me një goditje të fortë nga distanca të Erjon Hoxhallarit. Përpjekjet e Flamurtarit që kishte edhe mungesa në këtë sfidë ishin të kota pasi deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Tiranën që mori një fitore me shumë peshë që i jep bonus të madh përsa i përket kualifikimit në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë.



