Tirana, me Ngoo shpreson të gjejë golat
Tirana është paradoksi i këtij edicioni në Kategorinë Superiore, skuadra që prodhon ndoshta lojën më të bukur, por për ironi dergjet në vendet e fundit të klasifikimit. Në fushë bardheblutë janë një skuadër moderne, që mbajnë topin në qarkullim, duke dominuar kundërshtarin, por çuditërisht rezultatet nuk shkojnë në sinkron me lojën e zhvilluar.
Në 13 javë Tirana ka shënuar 11 gola me një mesatare mbi 0.8 gola për ndeshje, me rastet e shumta të shpërdoruara përpara portës. Për këtë arsye drejtuesit kanë rikthyer nga pezullimi sulmuesin anglez Michael Ngoo, duke shpresuar që të jetë “ilaçi” i duhur për gjetjen e golave. 26-vjeçari është një investim i klubit, pasi në periudhën më të errët të historisë me rënien në Kategorinë e Parë, sulmuesi anglez u evidentua për të qenë njeriu lider në sulm.
5 ndeshje të luajtura nga Ngoo, që e nisi sezonin me një dëmtim dhe ende asnjë gol në elitë kanë shtuar presionin tek vetë futbollisti. Por tashmë është momenti që investimi i bërë të japë frytet e veta, pasi realisht Tiranës këto javë, si nën drejtimin e brazilianit Ze Maria edhe nën drejtimin e Ardian Memës i mungon njeriu gol, ai që duhet të shfrytëzojë rastet e panumërta të krijuara përpara portës kundërshtare. Për këtë arsye, Ngoo shihet si shpresa e fundit tek 24 herë kampionët dhe ndoshta është momenti që vetë sulmuesi të tregojë aftësitë e tij për të nxjerrë skuadrën nga balta.



