Tirana, në rrugën e shkurtër drejt Europës, Flamurtari do përmbysjen
6 ndeshje për të shkuar në Europë. Duket si shpëtimi ideal për Tiranën, edhe pse rruga, ndonëse më e shkurtër se kampionatin, nuk është aspak e lehtë. Bileta për çerekfinalen luhet këtë të mërkurë me Flamurtarin. Tirana shkon në Vlorë e fortë falë fitores 2-0 të sigluar në takimin e parë të këtij viti me golat e Ngoo dhe Hoxhallarit, por me kujdesin maksimal për të mos hedhur poshtë një mundësi të artë për të avancuar në kompeticionin që mund të shpëtojë sezonin bardheblu.
Me avantazhin e dyfishtë dhe 2 rezultate nga 3 në dispozicion, Tiranës i duhet të mos pësojë, në provë këtë herë do të jetë aftësia për t’u mbrojtur, “Thembra e Akilit”, që ka penalizuar këtë sezon skuadrën me sulmin më të mirë të kampionatit.
Flamurtari nuk ka më emrat sugjestionues Busic dhe Danilo Alves në sulm, por nëse dikush merr guximin të nënvlerësojë skuadrën e Ilir Dajës, mund të futet në telashe serioze. Qoftë edhe për shkak të problemeve financiare që Flamurtari deri më tani me krenari ka ditur të mos i reflektojë në fushë, të paktën në aspektin e motivimit, pasi pas asaj paraqitjeje nën nivel pikërisht me Tiranën, skuadra ka barazuar me Teutën, dhe është mundur minimalisht nga Kukësi, pas një sfide plot polemika dhe me ndjesinë se Flamurtarit i është ngrënë haku.
Mbetet për t’u parë se çfarë shpirti do të ketë në fushë ndaj Tiranës, në një situatë kur ngërçi financiar kërcënon të sjellë të tjera largime. Misioni për skuadrën vlonjate është pa dyshim i vështirë, një përmbysje nga ato që rrallë ndodhin, por futbolli është i bukur pikërisht se është i paparashikueshëm. Në të kaluarën, Tirana është bërë shpesh pre e përmbysjeve të bujshme me Teutën, Luftëtarin e madje dhe në derbin me Partizanin.
Nëse duan, te Flamurtari mund t’i gjejnë arsyet për të besuar. Njerëzit për t’u vëzhguar: pa dyshim Majkëll Ngoo, njeriu i momentit te Tirana me 3 gola në po kaq ndeshjet e fundit, te Flamurtari, ndoshta Idriz Batha. Mund të ndodhë që të ndiejë aromën e derbit të dikurshëm, kur ndaj Tiranës jepte shpirtin në fushë për Partizanin.



