Kategoria Superiore

Tirana – Partizani, kryeqyteti në ethet e derbit

Kryeqyteti në ethet e derbit. Këtë të shtunë, në Air Albania, Tirana dhe Partizani përplasen në sfidën e madhe për ta ngjyrosur kryeqendrën e shqiptarisë në të kuqe apo bardheblu. Akti i radhës i një sage pasioni të pafund, i gjen rivalët e përjetshëm në formë.

Tirana është Tirana, kryesuese e kampionatit, dhuroi një provë autoriteti masiv ndaj ndjekësve më të afërt të Laçit, dhe mposhti pa shumë sforco Teutë. Partizani vjen në rritje dhe kërkon të shfrytëzojë momentin e fitores më të madhe të sezonit, një 5-0 impresionues ndaj Kukësit që konfirmon rikthimin e të kuqve si protagonist të vërtetë.

Hendeku prej 19 pikësh në klasifikim është produkt i dy fazave të para, ku bardheblutë i kanë fituar të dyja sfidat, por kjo e radhës është një tjetër histori, për më tepër që shpesh në derbi renditja nuk vlen.

Të paktën kështu shpresojnë në kampin e Dritan Mehmetit, në derbin e parë si timonier i skuadrës, ku afrimet e dimrit, Bitri, Kallaku e sidomos Skuka kanë ndryshuar fytyrën e skuadrës. Prova e vërtetë për të kuqtë është Tirana, skuadër racionale, cinike dhe dominuese, me një sulm të frikshëm me Seferin dhe Xhixhën, që do të jenë një rrezik konstant për mbrojtjen e Partizanit.

Duel intrigues ai mes Seferit, një prej më të mirëve të këtij kampionati, shpërthyes i pandalshëm, me Xhuliano Skukën talentin që shpërtheu pas muajsh lëngimi te Dinamo me fanellën e kuqe ku shfaqet si një ndër kandidatët më potenciale për të ndëshkuar Tiranën.

Në dyshim nga një lojtar i rëndësishëm për cdo krah, Kallaku te Partizani dhe Ismajlgeci që vë në dilema Orges Shehin. Gjithsesi bëhet fjalë për dy skuadra me shumë elementë cilësore, të mbrojtur me motivimin ekstra të përballjes më të ndier për të dhënë më të mirën në një stadium të tejmbushur që pret spektaklin.

Biletat avullojnë me shpejtësi me Air Albanian që projektohet plot e për plot për një pikë kulmore të këtij kampionati. Derbi nuk vlen vetëm 3 pikë, shpesh herë ka përcaktuar dhe vijimësinë për dy skuadrat e kryeqytetit.

Një disfatë mund të jetë një pengesë e rëndë psikologjike për Tiranën në rrugën drejt titullit, ashtu si fitorja e katapulton drejt trofeut, për Partizanin mund të jetë pika e konfirmimit se Europa pavarësisht gabimeve të fillimit, është një objektiv i arritshëm. Në mes padyshim dhe presioni dhe prestigji i derbit, dëshira e jashtëzakonshme për të dominuar kryeqytetin, për zemra që rrahin për futbollin dhe për përballje si kjo.

Për tifozët vlen një trofe, për protagonistët shansi për të bërë historinë, numërimi mbrapsht për 90 minutat më të rëndësishme të kampionatit është drejt fundit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency