Kategoria Superiore

Tirana pret Skënderbeun, fitorja për “t’u arratisur” në krye

Tirana në provën e arratisjes. Në sfidën e parë të fazës së tretë, bardheblutë presin Skënderbeun, ndërkohë që dy nga ndjekësit më të afërt Laçi dhe Vllaznia do të kenë një përballje direkte mes tyre. Skuadra e Orges Shehit vjen pas një performance solide ndaj Kukësit, që e mposhtën 4-0 dhe momenti është për tu shfrytëzuar për të ndërtuar një bonus edhe më të sigurt në rrugën e kryesuesve drejt titullit kampion.

Problemi është se në kryeqytet vjen një Skënderbe më i etur se kurrë për pikët e mbijetesës. Formacioni korçar ka humbur të tre ndeshjet e fundit mes Kupës dhe kampionatit, pa mundur të shënojë gol, një problematikë e rikthyer për ish sulmuesin Migen Memelli, sot trajner i bardhekuqve, që e ndali Tiranën në përballjen e fundit në Korçë në një barazim pa gola.

Në këtë situatë është e lehtë të parashikohet një Skënderbe që do të japë gjithçka për të reaguar duke u kthyer te rezultatet pozitive, me presionin e luftës për mbijetesë gjithmonë e më të madh. Gjithsesi bardheblutë vijnë në rritje, në 5 ndeshjet e fundit ndaj rivalëve direktë kanë koleksionuar 4 fitore dhe vetëm një barazim, duke demonstruar cilësi superiore për sa i përket lojës dhe elementëve.

Një Tiranë që funksionon në aspektin shumëplanësh, me një mbrojtje të hekurt, mesfushë krijuese dhe sulm efikas me Xhixhën e Seferin që po gjejnë një kimi fantastike mes tyre, dhe mbi të gjitha si një skuadër me një nivel më të lartë eksperience dhe cinizmi.

Megjithatë tani kryeqytetasit janë para një prove të një lloji tjetër, kalendari ju ofron në seri sfidat me kundërshtarët e fundit të tabelës, Skënderbeun, Egnatian dhe më pas Kastriotin dhe nëse nuk lejojnë që euforia t’i ndëshkojë, bardheblutë mund të ndërtojnë në këtë seri sfidash një distancë komode nga ndjekësit në rrugën drejt titullit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency