Tirana reagon ashpër për incidentet pas ndeshjes me Laçin
Ngjarjet e rënda të ndodhura në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Selman Stërmasi”, ku zyrtarë të klubit të Laçit dhunuan sulmuesin anglez Michael Ngo, kanë nxitur një reagim zyrtar të klubit të Tiranës.
Bardheblutë kanë theksuar se futbollistët e tyre janë provokuar dhe dhunuar nga zyrtarët e futbollistët kundërshtarë, ndërsa thonë se kanë vënë në dispozicion të policisë pamjet filmike, ndaj kërkojnë vënien para përgjegjësisë autorët.
Nuk mungojnë as akuzat ndaj arbitrimit, teksa bardheblutë risjellin në kujtesë ngjarjen e para dy javëve në Fushë-Krujë, ndaj Kastriotit, ku arbitri Olsi Sokoli bëri disa gabime që kushtëzuan takimin, por edhe sfidën ndaj laçjanëve, ku u luajt shumë më tepër sesa ishte sinjalizuar.
Klubi i Tiranës thekson se ka pak besim që të gjejë drejtësi në Shqipëri, ndaj për këtë arsye do të relatojë çështjet edhe në organizmat ndërkombëtarë si UEFA dhe FIFA.
Deklarata e plotë e bardhebluve:
Denoncim publik
Klubi i Futbollit Tirana denon ashper ngjarjet e ndodhura dje ne stadiumin “Selman Stermasi”. Lojtaret e Tiranes u provokuan dhe u dhunuan. Klubi i ka vene ne dispozicion te Policise se Tiranes pamjet filmike per gjithcka ka ndodhur ne perfundim te ndeshjes Tirana – Laçi dhe pret zbardhjen e ngjarjes si dhe pasojat ligjore.
Denoncimet publike ne kete vend, thuajse gjithmone kane rene ne vesh te shurdhet per te mos sjelle ndryshim. Per kete dhe te tjera arsye, zgjedhim te mos flasim gjate, por te veprojme.
Dy jave me pare, gjyqtari Olsi Sokoli vodhi turpshen skuadren ne fushe ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur nje ceshtje ndaj tij ne FIFA, ne sektorin e Luftes kunder Racizmit, ne mungese te nje pergjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Dje skuadra u vodh ne fushe, ne nje ndeshje qe mund te luhej deri ne te gdhire sipas kryesorit Kridens Meta dhe me pas u provokua dhe u godit turpshem.
Pamjet filmike jane depozituar ne Policine e Tiranes. Ngjarjet e dy javeve te fundit do te relatohen gjithashtu ne UEFA dhe FIFA.



