Tirana shton alternativat në prapavijë, zyrtarizon mbrojtësin 22-vjeçar
Tirana ka zyrtarizuar marrëveshjen me mbrojtësin Besir Iseni i cili në sezonin e fundit ishte pjesë e Strugës në Maqedoninë e Veriut. 22-vjeçari ka nisur menjëherë nga puna nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi, ndërsa me bardheblutë ka firmosur një kontratë trevjeçare.
Kampionët në fuqi të Shqipërisë e kishin të nevojshëm afrimin e një qendërmbrojtësi në merkato pas largimit të Erjon Hoxhallarit, teksa 22-vjeçari tashmë është një alternativë më shumë dhe i shtohet në këtë repart Behiratches e Najdovskit. Tirana në këtë merkato verore, krahas prezatimit të Besir Isenit ka firmosur dhe me Albano Aleksin, Ardit Hilën dhe Florent Hasanin.
Kryeqytetasit ndërkohë janë kthyer nga Turqia dhe po vazhdojnë përgatitjet për ndeshjet e raundit të parë në Champions League, atë ndaj Dudelange teksa sfidën e parë e luajnë në transfertë më datë gjashtë korrik ndërsa ajo e kthimit është programuar për në 13 korrik në Air Albania.




