Tirana s’ka luksin të humbë Hasanin, dyert e hapura për Ngoo
Një çështje që shkon drejt paqes. Tirana nuk ka luksin ta humbasë lojtarin, Edon Hasani përtej ndjenjave apo lidhjes me klubin, ka kontratë me Tiranën dhe, rrjedhimisht, i varur nga vullneti i klubit.
Zgjedhjet radikale nuk janë në të mirë të askujt, ndaj dhe situata më kryegolashënuesin e skuadrës sezonin e kaluar duket se shkon drejt paqtimit, natyrisht me Hasanin që merr ndëshkimin për shkeljen e disiplinës, sipas rregullores së klubit, me detyrimin për të reflektuar.
Te Tirana kanë zgjedhur rrugën e racionalitetit dhe qetësisë dhe në lidhje me Ngoo. Nuk ka një mbyllje dyersh për sulmuesin, pavarësisht se ende nuk është paraqitur për t’u bashkuar me skuadrën në bazë të një akordi verbal të arritur për të qenë bardheblu edhe për sezonin e ardhshëm.
Në vitin e 100-vjetorit dhe me situatën e veçantë të krijuar në Superiore, Tirana dëshiron të bëjë më në fund hapin e madh të ëndërruar prej kohësh, për t’u rikthyer në vendin që i takon në kampionat.
Merkatoja edhe pas disa blerjeve të rëndësishme në sulm e së fundmi edhe në mbrojtje me afrimin e Tefik Osmanit është e destinuar të vazhdojë, ndërkohë që skuadra vijon përgatitjet në Ohër, aty ku pas miqësores së parë me Renovën këtë të mërkurë bardheblutë do të kenë një tjetër test me Dukagjinin, skuadër e ngjitur këtë vit në Superligën e Kosovës, me trajnerin Mema që ka në dispozicion një tjetër miqësore për të vijuar kolaudimin e skuadrës.



